Mbrojtja e të dhënave
Cilat të dhëna mbledh kjo platformë, pse i mban, kush i sheh dhe sa gjatë rrinë.
1. Kush i mban këto të dhëna
Kontrolluesi i të dhënave është AT PARTNERS LLC. Për çdo pyetje mbi këtë njoftim, shkruani te info@centpercent.eu.
2. Çfarë mblidhet
Vetëm ajo që i duhet punës së kontabilitetit dhe sigurisë së llogarisë. Asgjë nuk mblidhet për reklama dhe asgjë nuk u shitet të tretëve.
- Llogaria — emri dhe mbiemri, emri i përdoruesit, emaili, telefoni nëse e jepni, roli dhe qasjet që ju cakton zyra.
- Hyrjet — data dhe ora e çdo përpjekjeje për të hyrë, e suksesshme ose jo, adresa IP, përshkrimi i pajisjes dhe shfletuesit, dhe si mbaroi sesioni. Fjalëkalimi nuk ruhet kurrë, as kur është shtypur gabim.
- Vendndodhja — vetëm kur zyra i ka caktuar një llogarie zonë hyrjeje — dhe atëherë vetëm koordinatat që i jep vetë shfletuesi në çastin e hyrjes, pasi ju e keni lejuar — ose kur e bashkëngjitni vetë te kërkesa për llogari. Nuk ka gjurmim të vazhdueshëm dhe asnjë lëvizje nuk regjistrohet.
- Të dhënat e biznesit — emri i subjektit, NUI-ja, numri i TVSH-së, faturat, deklarimet, arkëtimet, borxhet dhe lista e pagave me kontributet përkatëse.
- Dokumentet — çdo skedar që ngarkohet te dosja e subjektit, bashkë me tekstin e nxjerrë prej tij që kërkimi ta gjejë edhe brenda faqes.
- Komunikimi — mesazhet mes jush dhe zyrës, shënimet zanore dhe të dhënat e thirrjeve brenda programit.
- Njoftimet në ekran — nëse i lejoni njoftimet, ruhet abonimi që e lidh shfletuesin tuaj me llogarinë. Hiqet sapo i çaktivizoni.
- Kërkesa për llogari — kur kërkoni një llogari nga faqja «Bëhuni klient»: emri i biznesit, emri dhe mbiemri, emaili, telefoni nëse e jepni, lloji i biznesit dhe shërbimet që ju duhen nëse i zgjidhni, dhe vendndodhja vetëm nëse e bashkëngjitni vetë, bashkë me adresën IP, përshkrimin e shfletuesit, gjuhën dhe zonën kohore të pajisjes. I sheh vetëm administratori i zyrës.
- Kërkesa për takim — kur kërkoni një takim nga llogaria juaj: emri, biznesi, telefoni ose emaili, shërbimi, kur ju përshtatet dhe shënimi që lini, bashkë me adresën IP dhe përshkrimin e shfletuesit. I sheh vetëm administratori i zyrës.
- Fjala juaj për faqen publike — kur e shkruani vetë te «Llogaria ime»: fjalia, emri dhe biznesi ashtu siç i shkruat, dhe nëse lejuat ta vendosim te faqja. Del te faqja vetëm me lejen tuaj dhe pasi e vendos zyra; pa leje e lexon vetëm zyra. Kur llogaria fshihet, ikën edhe nga faqja.
3. Pse mbahen
- Për të kryer shërbimin — mbajtja e librave, përgatitja e deklarimeve dhe komunikimi me ju janë vetë kontrata.
- Për detyrim ligjor — dokumentet kontabël dhe tatimore duhen ruajtur për aq kohë sa e kërkon ligji, edhe pasi bashkëpunimi mbaron.
- Për sigurinë e llogarisë — regjistri i hyrjeve dhe gjurma e veprimeve ekzistojnë që të mund t'i përgjigjemi pyetjes «kush e ndryshoi këtë dhe kur».
4. Kush i sheh
Qasja jepet sipas rolit dhe kontrollohet te secila faqe, jo vetëm te menyja. Klienti sheh dosjen e vet dhe asgjë tjetër; punëtori sheh atë që i është caktuar; administratori sheh tërësinë. Çdo shikim i të dhënave të ndjeshme dhe çdo ndryshim regjistrohet me emrin e atij që e bëri.
Jashtë zyrës të dhënat shkojnë vetëm atje ku e kërkon vetë puna — te administrata tatimore për deklarimet që ju porositni — ose atje ku e kërkon ligji. Nuk ka reklama, nuk ka gjurmues dhe asnjë analitikë e palëve të treta nuk xhiron te kjo faqe.
Leximi i një letre nga një model i jashtëm është veçori e fikur si parazgjedhje. Kur zyra e ndez, ajo vepron vetëm mbi një dokument të vetëm dhe vetëm pasi dikush e shtyp butonin — kurrë me shumicë dhe kurrë vetvetiu.
5. Ku rrinë dhe si mbrohen
- Baza e të dhënave rri te serveri i zyrës dhe është e shifruar mbi disk: një kopje e marrë nga makina nuk lexohet pa fjalëkalimin.
- Lidhja me faqen kalon vetëm nëpër HTTPS, dhe faqja nuk ngarkon asgjë nga serverë të huaj.
- Hyrja mund të mbrohet me verifikim në dy hapa ose me passkey; llogaria kyçet vetë pas një numri të caktuar përpjekjesh të dështuara.
- Gjurma e veprimeve lidhet në një zinxhir që nuk rishkruhet: një regjistrim i hequr më pas duket si mungesë, jo si mosekzistencë.
- Kopjet rezervë merren rregullisht dhe mbahen të kufizuara në numër; nëse zyra ka caktuar një vend të dytë ruajtjeje, kopja shkon edhe atje.
6. Sa gjatë mbahen
Të dhënat e biznesit dhe dokumentet mbahen sa zgjat bashkëpunimi dhe pastaj për aq kohë sa e kërkon afati ligjor i ruajtjes së dokumenteve kontabël. Regjistrimet jo-kritike të gjurmës pastrohen nga zyra pas një periudhe të caktuar; fshirjet dhe çdo gjë që prek para, klientë ose llogari mbeten. Kur një llogari mbyllet, të dhënat e saj personale hiqen ose anonimizohen përveç atyre që duhen mbajtur me ligj.
Një kërkesë për llogari që nuk konfirmohet me kodin e emailit skadon pas 15 minutash dhe fshihet sapo vjen kërkesa e radhës. Kërkesa që zyra e pranon bëhet llogaria juaj; ajo që zyra e refuzon mbetet te zyra si shënim i vendimit, derisa zyra ta fshijë — dhe edhe atëherë, si çdo fshirje, shënimi i saj mbetet te gjurma e veprimeve.
Një kërkesë për takim fshihet vetë gjashtë muaj pasi zyra e mbyll; te gjurma e veprimeve mbetet vetëm shënimi se u bë dhe si u mbyll, pa emrin dhe pa kontaktet. Nëse zyra cakton takim, ai rri te kalendari i saj si çdo takim tjetër, me emrin dhe kontaktin që lini.
7. Të drejtat tuaja
Mbi të dhënat tuaja personale keni të drejtë:
- t'i shihni dhe të merrni një kopje;
- të kërkoni korrigjimin e asaj që është e pasaktë;
- të kërkoni fshirjen, kur nuk pengohet nga një detyrim ligjor ruajtjeje;
- të kërkoni kufizimin e përpunimit ose ta kundërshtoni atë;
- të ankoheni te autoriteti kompetent për mbrojtjen e të dhënave personale.
Pjesën më të madhe të tyre e ushtroni duke shkruar te zyra; kërkesës i përgjigjemi brenda afatit ligjor.
8. Kukit
Kjo faqe përdor vetëm kuki teknike: atë që e mban sesionin tuaj të hapur dhe atë që mban zgjedhjet e pamjes — gjuhën, gjerësinë e menysë, densitetin e tabelave. Nuk ka kuki reklamash dhe asnjë kuki nuk lexohet nga një palë e tretë.
Vizitat e faqeve publike numërohen si shifra ditore: cila faqe u hap, në cilën gjuhë, nga telefoni apo kompjuteri dhe nga erdhi vizita — p.sh. nga Google. Nuk ruhet asnjë adresë IP, nuk vendoset asnjë kuki dhe asnjë shifër nuk lidhet me një person; numrat mbahen një vit. Kush ka hyrë në llogari nuk numërohet fare.
Numërohet edhe sa herë preket numri i telefonit, emaili, kartela e kontaktit ose lidhja e WhatsApp-it a Viber-it: nga cila faqe u bë prekja dhe nga telefoni apo kompjuteri. Kur vizitori vjen nga një lidhje ose kod QR që zyra e ka shënuar me një emër (p.sh. «karta»), mbahet vetëm ai emër. Të njëjtat kufij: asnjë adresë IP, asnjë kuki, asnjë shifër e lidhur me një person.
9. Ndryshimet
Kur ky njoftim ndryshon, ndryshon edhe data lart. Ndryshimet që prekin mënyrën se si përpunohen të dhënat tuaja ju njoftohen edhe brenda programit.